Kalo te përmbajtja
Mbrojtja e njerëzve

Politika për mbrojtjen dhe parandalimin e shfrytëzimit, abuzimit dhe ngacmimit seksual (PSEA)

Kjo politikë përcakton si HO Dora Care parandalon shfrytëzimin, abuzimin dhe ngacmimin seksual, si dhe çdo formë keqtrajtimi. Ajo mbron fëmijët, të rriturit në situatë të cenueshme, përfituesit e ndihmave dhe stafin, dhe shpjegon si raportohen shqetësimet në mënyrë të sigurt dhe konfidenciale.

Miratuar nga: Bordi Ekzekutiv dhe Kuvendi i Anëtarëve
Read in English

Hyrje dhe baza ligjore

Ky dokument përbën rregulloren themelore, detyruese dhe të panegociueshme të shoqatës Organizata Humanitare Dora e Përkujdesjes / Humanitarian Organization Dora Care (HO Dora Care) për mbrojtjen e plotë të fëmijëve, të rriturve në situatë të cenueshme, përfituesve të ndihmave humanitare dhe personelit nga çdo formë e shfrytëzimit, abuzimit, ngacmimit seksual dhe keqtrajtimit.

Dokumenti hartohet në mbështetje të:

  1. Legjislacionit të Republikës së Kosovës: Ligjit Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në OJQ, Ligjit Nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijëve, Kodit Penal të Republikës së Kosovës (veprat penale kundër integritetit seksual dhe keqtrajtimit), Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, Ligjit Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjit Nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve;
  2. Statutit të Organizatës: Në veçanti Nenit 2 (Zbatueshmëria e normave statutore), Nenit 5 (Parimi për jo përfitim), Nenit 6 (Detyrimi në lojalitet dhe mirëbesim), Nenit 9 (Qëllimi i shoqatës për zbutjen e varfërisë dhe ndihmën për fëmijët, të rinjtë, gratë dhe grupet e margjinalizuara) dhe Nenit 10 (Fushëveprimi);
  3. Standardeve Ndërkombëtare Humanitare: Gjashtë Parimeve Thelbësore të Komitetit të Përhershëm Ndëragjencor të OKB-së mbi PSEA (IASC Six Core Principles), Buletinit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (ST/SGB/2003/13), Standardeve Ndërkombëtare "Keeping Children Safe" (KCS), Standardit Thelbësor Humanitar (CHS Angazhimi 3), Parimeve të Mbrojtjes të Manualit Sphere dhe Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës (UNCRC).

Neni 1: Qëllimi dhe zotimi institucional

  1. Qëllimi i kësaj Politike është të parandalojë dhe eliminojë çdo rrezik të shfrytëzimit seksual, abuzimit seksual, ngacmimit seksual (PSEAH) dhe çdo formë të dëmtimit ose neglizhimit ndaj fëmijëve dhe të rriturve në nevojë gjatë realizimit të aktiviteteve humanitare, arsimore, shëndetësore dhe sociale të HO Dora Care.
  2. HO Dora Care vendos dhe zbaton parimin e tolerancës zero ndaj çdo akti të shfrytëzimit, abuzimit dhe ngacmimit seksual.
  3. Asnjë rrethanë operacionale, dallim kulturor apo traditë vendore nuk mund të përdoret për të arsyetuar ose toleruar sjellje seksuale abuzive, shkëmbim të ndihmës humanitare për favore seksuale, apo trajtim të padinjitetshëm të përfituesve dhe stafit.

Neni 2: Fushëveprimi dhe zbatueshmëria

  1. Kjo Politikë është rreptësisht e detyrueshme për:
    • Anëtarët e Kuvendit të Anëtarëve dhe Bordit Ekzekutiv;
    • Përfaqësuesin e Autorizuar dhe Drejtorin Ekzekutiv;
    • Të gjithë punonjësit (me orar të plotë, të pjesshëm ose me kontrata për shërbime të veçanta);
    • Vullnetarët, praktikantët dhe anëtarët e komisioneve të vlerësimit (p.sh. të bursave apo prokurimit);
    • Konsulentët e jashtëm, kontraktorët ndërtimorë, furnitorët e mallrave dhe partnerët zbatues.
  2. Nënshkrimi i Kodit të Mirësjelljes për Mbrojtjen dhe PSEA (Shtojca 1) është parakusht i detyrueshëm për nënshkrimin e çdo kontrate pune, angazhimi vullnetar apo marrëveshjeje kontraktuale me HO Dora Care.

Neni 3: Përkufizimet kryesore

Në zbatim të kësaj Politike, termat përkufizohen si vijon:

  1. Shfrytëzimi Seksual (Sexual Exploitation): Çdo abuzim i mirëfilltë ose tentativë abuzimi me pozitën e cenueshmërisë, fuqisë diferenciale apo besimit për qëllime seksuale, duke përfshirë, por pa u kufizuar në përfitimin financiar, shoqëror ose politik nga shfrytëzimi seksual i një personi tjetër. Kjo përfshin shkëmbimin e parave, punësimit, pakove ushqimore, trajtimeve mjekësore apo bursave arsimore në këmbim të favoreve seksuale.
  2. Abuzimi Seksual (Sexual Abuse): Çdo ndërhyrje fizike e natyrës seksuale e kryer me forcë, kërcënim, kushtëzim apo në rrethana pabarazie, duke përfshirë çdo kontakt seksual me fëmijët pavarësisht pretendimit për pëlqim.
  3. Ngacmimi Seksual (Sexual Harassment): Çdo sjellje e padëshiruar verbale, joverbale ose fizike e natyrës seksuale në vendin e punës ose gjatë aktiviteteve të terrenit, e cila cenon dinjitetin e personit dhe krijon një mjedis frikësues, armiqësor, poshtërues ose fyes.
  4. Fëmijë: Çdo person nën moshën 18 vjeç, në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës dhe Ligjin Nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.
  5. Mbrojtja e Fëmijëve (Child Safeguarding): Tërësia e masave parandaluese dhe procedurave aktive që garantojnë se fëmijët janë të mbrojtur nga çdo formë dëmtimi, abuzimi fizik/emocional, shfrytëzimi apo neglizhimi gjatë përfshirjes në programet e organizatës.
  6. I Rritur në Situatë të Cenueshme (Adult at Risk): Çdo person i moshës 18 vjeç e lart i cili, për shkak të moshës së thyer, varfërisë ekstreme, aftësive të kufizuara fizike/mendore, sëmundjes ose krizave sociale, është përkohësisht ose përgjithmonë i paaftë të mbrojë veten nga dëmtimi apo shfrytëzimi.
  7. Pëlqimi (Consent): Miratimi i lirë, i vetëdijshëm dhe i vullnetshëm i një personi me aftësi të plotë ligjore dhe mendore. Sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare, fëmijët nën moshën ligjore nuk mund të japin pëlqim ligjor për aktivitete seksuale.

Neni 4: Standardet e detyrueshme të sjelljes (kodi i veprimit)

Çdo anëtar i stafit, anëtar bordi dhe bashkëpunëtor i HO Dora Care është i detyruar të respektojë rregullat e mëposhtme:

  1. Ndalimet Eksplicite:
    • Ndalohet rreptësisht kërkimi, pranimi apo sugjerimi i favoreve seksuale në këmbim të regjistrimit në listat e ndihmave, dhënies së pakove ushqimore, trajtimit mjekësor, shërbimeve sociale apo përfitimit të bursave studentore;
    • Ndalohet çdo marrëdhënie seksuale me fëmijë (persona nën 18 vjeç), pavarësisht moshës së pëlqimit në legjislacionin vendor; pretendimi i mosdijes për moshën nuk shërben si justifikim;
    • Ndalohet pagesa ose shkëmbimi i të mirave materiale për shërbime seksuale (përfshirë prostitucionin), pasi kjo nxit rrjetet e trafikimit dhe shfrytëzimit;
    • Ndalohet çdo marrëdhënie intime/seksuale me përfituesit e drejtpërdrejtë të ndihmave humanitare ku ekziston dinamikë e theksuar pushteti dhe varësie ekonomike;
    • Ndalohet prekja e papërshtatshme, gjuha me konotacion seksual, komentet poshtëruese mbi pamjen fizike dhe shfaqja e materialeve pornografike;
    • Ndalohet goditja, ndëshkimi trupor, poshtërimi emocional apo neglizhimi i fëmijëve dhe përfituesve.
  2. Detyrimet Pozitive:
    • Trajtimi i të gjithë përfituesve me respekt, paanësi dhe dinjitet të plotë njerëzor;
    • Mbajtja e dyerve hapur ose prania e një të rrituri tjetër (preferohet prindi/kujdestari) sa herë që komunikohet apo zhvillohet intervistë me një fëmijë;
    • Raportimi i menjëhershëm i çdo dyshimi apo incidenti të abuzimit përmes kanaleve zyrtare të organizatës.

Neni 5: Rekrutimi i sigurt dhe kontrolli i integritetit të personelit

HO Dora Care zbaton procedura rigoroze të verifikimit paraprak (Safer Recruitment) për të parandaluar depërtimin e personave me precedentë abuzues:

  1. Verifikimi Ligjor: Çdo kandidat për punësim, anëtar i Bordit Ekzekutiv, praktikant apo vullnetar afatgjatë duhet të dorëzojë para fillimit të punës Certifikatën Zyrtare nga Gjykata kompetente në Kosovë që dëshmon se nuk është i dënuar dhe nuk ka hetime aktive për vepra penale (veçanërisht vepra kundër integritetit seksual dhe fëmijëve).
  2. Verifikimi i Referencave: Departamenti i Burimeve Njerëzore kontakton detyrimisht të paktën dy punëdhënës të mëparshëm duke përdorur pyetje specifike mbi integritetin dhe sjelljen etike ndaj fëmijëve dhe komunitetit.
  3. Deklarata e Vetë-Integritetit: Nënshkrimi i një deklarate me shkrim ku kandidati pohon se nuk është hetuar, shkarkuar apo ndëshkuar më parë për sjellje të pahijshme seksuale apo shkelje të standardeve të mbrojtjes.

Neni 6: Protokoll i posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve

Në të gjitha aktivitetet arsimore, renovimet e shkollave, qendrave ditore dhe skemat e bursave, stafi duhet të respektojë rregullat e mëposhtme:

  1. Rregulli i "Syve të Hapur": Asnjë punonjës ose vullnetar i HO Dora Care nuk lejohet të qëndrojë vetëm, i izoluar në hapësirë të mbyllur, me një fëmijë pa praninë e një kolegu, mësuesi apo prindit/kujdestarit.
  2. Fotografitë dhe Komunikimi Mediatik:
    • Ndalohet rreptësisht fotografimi apo filmimi i fëmijëve pa marrjen paraprake të Pëlqimit me Shkrim të Prindit/Kujdestarit Ligjor (Shtojca 3);
    • Fëmijët duhet të paraqiten gjithmonë me dinjitet, të veshur plotësisht, dhe asnjëherë në poza komprometuese, poshtëruese apo viktimizuese;
    • Ndalohet publikimi i të dhënave identifikuese (emri i plotë, adresa e saktë e shtëpisë apo shkolla specifike) kur publikohen raste humanitare të fëmijëve të cenueshëm në rrjete sociale apo media.
  3. Përdorimi i Teknologjisë dhe Rrjeteve Sociale: Ndalohet komunikimi privat elektronik (WhatsApp, Instagram, Facebook) i stafit me përfitues të mitur jashtë kanaleve zyrtare të njoftimit institucional.

Neni 7: Programimi i sigurt dhe zbutja e rreziqeve në terren

HO Dora Care integron vlerësimin e rrezikut të mbrojtjes në çdo fazë operacionale:

  1. Pikat e Shpërndarjes së Ndihmave:
    • Shpërndarja organizohet në vende publike, të ndriçuara mirë, lehtësisht të qasshme dhe në orare të sigurta gjatë ditës;
    • Sigurohet prani e barabartë e grave në mesin e stafit dhe vullnetarëve të shpërndarjes;
    • Përfituesit me aftësi të kufizuara dhe gratë me fëmijë të vegjël kanë radhë të veçantë me përparësi për të evituar shtyrjet dhe rrezikun fizik.
  2. Projektet Infrastrukturore (Shkolla, Ambulanca, Qendra Sociale):
    • Kontraktuesit ndërtimorë janë të detyruar të rrethojnë plotësisht zonën e punimeve;
    • Punëtorëve të ndërtimit u ndalohet kontakti i pambikëqyrur me fëmijët dhe stafi mësimor/shëndetësor njoftohet për kanalet e raportimit në rast sjelljesh të papërshtatshme.

Neni 8: Raportimi, sinjalizimi dhe mekanizmi i ankesave

  1. Detyrimi Universal për Raportim: Çdo anëtar i stafit, vullnetar apo partner që dyshon, vihet në dijeni ose dëshmon një incident të shfrytëzimit, abuzimit seksual apo rrezikimit të fëmijëve, e ka detyrim të menjëhershëm profesional dhe etik ta raportojë atë brenda 24 orëve. Mosraportimi konsiderohet bashkëfajësi dhe sjell masa disiplinore.
  2. Kanalet e Raportimit:
    • Drejtpërdrejt te Zyrtari Përgjegjës për Mbrojtje dhe PSEA (Safeguarding Focal Point);
    • Drejtpërdrejt te Drejtori Ekzekutiv ose Kryesuesi i Bordit Ekzekutiv (nëse Drejtori është i implikuar);
    • Përmes linjës telefonike të mbrojtur dhe konfidenciale: +383 43 993 000;
    • Përmes adresës elektronike të sigurt: ngodoracare@gmail.com (me qasje të kufizuar vetëm për zyrtarin përgjegjës).
  3. Mbrojtja e Sinjalizuesve dhe Dëshmitarëve:
    • HO Dora Care garanton mbrojtje të hekurt ndaj hakmarrjes për çdo sinjalizues me mirëbesim në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-085;
    • Çdo akt kërcënimi, diskriminimi apo presioni ndaj raportuesit rezulton me shkarkim të menjëhershëm të personit fajtor.

Neni 9: Qasja e përqendruar tek i mbijetuari dhe procedurat e hetimit

  1. Qasja e Përqendruar tek i Mbijetuari (Survivor-Centered Approach): Siguria, mirëqenia shëndetësore, dëshirat dhe dinjiteti i të mbijetuarit janë prioriteti kryesor. Asnjë veprim hetimor nuk ndërmerret pa garantuar mbrojtjen fizike të viktimës dhe pa marrë pëlqimin e saj/tij të informuar (ose të prindit/kujdestarit në rast të fëmijëve, përveç kur prindi është vetë abuzuesi).
  2. Referimi i Menjëhershëm për Ndihmë: Brenda 24 orëve, HO Dora Care lehtëson referimin e të mbijetuarit drejt shërbimeve të specializuara falas në Kosovë:
    • Kujdes mjekësor emergjent (profilaksia pas ekspozimit, mjekimi fizik);
    • Mbështetje psikologjike dhe këshillim për trauma;
    • Ndihmë juridike falas dhe strehim emergjent në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale (QPS) dhe strehimoret e licencuara.
  3. Hetimi Administrativ i Brendshëm:
    • Bordi Ekzekutiv themelon menjëherë një Panel Hetimor të Pavarur të përbërë nga persona me përgatitje profesionale dhe të balancuar gjinor;
    • Personi i dyshuar suspendohet menjëherë nga detyra me pagesë gjatë kohëzgjatjes së hetimit, si masë mbrojtëse administrative dhe jo si vendim fajësie;
    • Hetimi përmbyllet brenda 14 ditëve me një Raport Konfidencial me Gjetje dhe Rekomandime.

Neni 10: Masat disiplinore dhe kallëzimi penal

  1. Masat Disiplinore të Brendshme:
    • Vërtetimi i shkeljes së kësaj Politike sjell ndërprerjen e menjëhershme të kontratës së punës pa paralajmërim për shkelje të rëndë të detyrave të punës;
    • Shkarkim të menjëhershëm nga funksionet drejtuese në Bordin Ekzekutiv ose Kuvendin e Anëtarëve sipas Statutit;
    • Ndërprerje të menjëhershme të kontratës me kontraktorët ose furnitorët, dhe futje në listën e zezë të organizatës.
  2. Kallëzimi i Detyrueshëm Penal: Duke qenë se shfrytëzimi seksual, abuzimi dhe ngacmimi përbëjnë vepra penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Përfaqësuesi i Autorizuar ose Drejtori Ekzekutiv dorëzon menjëherë kallëzim penal zyrtar pranë Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë kompetente.
  3. Njoftimi i Donatorëve: Donatorët institucionalë dhe partnerët ndërkombëtarë njoftohen zyrtarisht brenda 48 orëve nga ngritja e dyshimit të bazuar, duke ruajtur rreptësisht anonimitetin dhe të dhënat e të mbijetuarit.

Neni 11: Struktura e menaxhimit dhe rolet institucionale

  1. Kuvendi i Anëtarëve: Ruan përgjegjësinë më të lartë statutore për misionin etik dhe miraton politikat strategjike të integritetit.
  2. Bordi Ekzekutiv:
    • Miraton këtë Politikë dhe ndryshimet operacionale;
    • Emëron Zyrtarin Përgjegjës për Mbrojtje dhe PSEA (Safeguarding Focal Point);
    • Mbikëqyr ecurinë e hetimeve dhe vendos për masat disiplinore të nivelit të lartë.
  3. Përfaqësuesi i Autorizuar (Faruk Begolli): Përfaqëson organizatën para organeve të ndjekjes penale dhe autoriteteve gjyqësore, dhe garanton përputhshmërinë ligjore të veprimeve të shoqatës.
  4. Drejtori Ekzekutiv: Siguron integrimin e politikës në operacionet ditore, menaxhon trajnimet e stafit dhe siguron buxhetimin e duhur për mekanizmat mbrojtës.
  5. Zyrtari Përgjegjës për Mbrojtje dhe PSEA:
    • Shërben si pikë kontakti konfidenciale për pranimin e raporteve;
    • Monitoron vlerësimin e rrezikut në projekte dhe organizon sesione vetëdijësuese për stafin dhe përfituesit.

Neni 12: Hyrja në fuqi dhe rishikimi

  1. Kjo Politikë hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Bordi Ekzekutiv dhe miratimit nga Kuvendi i Anëtarëve të HO Dora Care.
  2. Politika i nënshtrohet rishikimit dhe përditësimit të detyrueshëm çdo 2 (dy) vite, ose sa herë që pësojnë ndryshime ligjet e Kosovës apo standardet e organizmave ndërkombëtarë humanitarë.

Raportoni një shkelje në mënyrë konfidenciale

Nëse keni dijeni për një shkelje të kësaj politike, na shkruani përmes kanalit të sigurt të ankesave. Mbrojtja nga hakmarrja është e garantuar.

Paraqit ankesë
Shpërndaje