Kalo te përmbajtja
Qeverisja dhe njerëzit

Politika e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe vullnetarëve

Kjo politikë përcakton se si HO Dora Care rekruton, punëson, paguan, vlerëson dhe mbështet stafin dhe vullnetarët e saj. Ajo garanton trajtim të drejtë dhe të barabartë, kushte të sigurta pune dhe, përmes rekrutimit të sigurt, mbrojtje për fëmijët dhe përfituesit.

Miratuar nga: Bordi Ekzekutiv dhe Kuvendi i Anëtarëve
Read in English

Hyrje dhe baza ligjore

Ky dokument përbën rregulloren themelore administrative dhe operacionale të shoqatës Organizata Humanitare Dora e Përkujdesjes / Humanitarian Organization Dora Care (HO Dora Care) për administrimin e drejtë, transparent dhe profesional të personelit, rekrutimit, marrëdhënieve të punës dhe angazhimit të vullnetarëve në Republikën e Kosovës.

Dokumenti mbështetet në:

  1. Kornizën Ligjore të Republikës së Kosovës: Ligjin Nr. 03/L-212 të Punës; Ligjin Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në OJQ; Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë; Ligjin Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi; Ligjin Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore; Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale; dhe Udhëzimet Administrative të zbatueshme për Vullnetarizmin;
  2. Statutin e Organizatës: Në veçanti Nenin 5 (Parimi për jo përfitim dhe e drejta e pagesës ekskluzivisht për punën e kryer për shoqatën), Nenin 6 (Konflikti i interesit, detyrimi në lojalitet dhe mirëbesim), Nenin 7 (Transaksionet financiare dhe pagat përmes institucioneve të licencuara nga BQK), Nenet 9 dhe 10 (Qëllimi dhe fushëveprimi programor), Nenin 13.2 (Parimi i mosdiskriminimit), Nenin 15 (Përfaqësuesi i Autorizuar), Nenin 16 (Kompetencat e Drejtorit Ekzekutiv për personelin dhe punësimin), dhe Nenin 17 (Bordi Ekzekutiv);
  3. Standardet Ndërkombëtare Humanitare: Standardin Thelbësor Humanitar për Cilësinë dhe Përgjegjshmërinë (CHS Angazhimi 8: "Stafi mbështetet për të bërë punën e vet në mënyrë efektive, dhe trajtohet me drejtësi dhe barazi"); Standardet Minimale të Manualit Sphere për Kapacitetet dhe Menaxhimin e Personelit; Konventat Thelbësore të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO); dhe Parimet Ndërkombëtare të Vullnetarizmit (UNV).

Neni 1: Qëllimi dhe parimet themelore

  1. Qëllimi i kësaj Politike është të përcaktojë standarde dhe rregulla të qarta, të drejta dhe transparente për planifikimin, rekrutimin, kompensimin, vlerësimin, zhvillimin dhe përfundimin e marrëdhënieve të punës, si dhe për organizimin dhe mbështetjen e vullnetarëve në HO Dora Care.
  2. Politika udhëhiqet nga parimet ndërkombëtare dhe vendore të:
    • Dinjitetit dhe Trajtimit të Barabartë: Të gjithë punonjësit dhe vullnetarët trajtohen me respekt, paanshmëri dhe pa asnjë lloj diskriminimi;
    • Meritokracisë dhe Transparencës: Përzgjedhja, promovimi dhe shpërblimi bazohen vetëm në kualifikimet profesionale, integritetin moral dhe performancën e dëshmuar;
    • Detyrimit për Kujdes (Duty of Care): Sigurimi i një mjedisi të sigurt pune, me kushte të përshtatshme fizike, mbrojtje shëndetësore dhe mbështetje psikosociale;
    • Përputhshmërisë Statutore me Jo-Përfitimin: Në përputhje me Nenin 5 të Statutit, asetet dhe të ardhurat e shoqatës nuk shpërndahen si dividendë apo bonuse fitimi, por përdoren vetëm për pagesa të arsyeshme e të bazuara në treg për punën reale të kryer në mbështetje të misionit humanitar.

Neni 2: Fushëveprimi dhe zbatueshmëria

  1. Dispozitat e kësaj Politike janë të detyrueshme për:
    • Kuvendin e Anëtarëve dhe Bordin Ekzekutiv;
    • Përfaqësuesin e Autorizuar dhe Drejtorin Ekzekutiv;
    • Të gjithë punonjësit e rregullt me orar të plotë dhe të pjesshëm;
    • Personelin me kontrata për shërbime të veçanta ose marrëveshje mbi vepër;
    • Vullnetarët e angazhuar në projekte humanitare, fushata terreni dhe skema sociale;
    • Praktikantët dhe studentët e angazhuar në punë praktike.

Neni 3: Barazia në punësim dhe mosdiskriminimi

  1. Në mbështetje të Nenit 13.2 të Statutit dhe Ligjit Nr. 05/L-021, HO Dora Care garanton mundësi të barabarta në të gjitha fazat e punësimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore.
  2. Ndalohet çdo diskriminim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i bazuar në gjini, racë, ngjyrë, gjuhë, fe, mendim politik ose bindje tjetër, prejardhje kombëtare apo shoqërore, lidhje me ndonjë komunitet, pronë, gjendje ekonomike, orientim seksual, lindje, aftësi të kufizuar apo status tjetër personal.
  3. Promovohet në mënyrë aktive përfshirja e grave, të rinjve, personave me aftësi të kufizuara dhe komuniteteve pakicë në rolet menaxhuese dhe teknike të shoqatës.

Neni 4: Procedurat e rekrutimit të sigurt (safer recruitment)

Për të mbrojtur fëmijët, përfituesit dhe komunitetin nga personat e papërshtatshëm ose me precedentë penalë, zbatohet ky proces i detyrueshëm rekrutimi:

  1. Shpallja Publike: Çdo pozitë e lirë pune shpallet publikisht për të paktën 8 deri në 15 ditë kalendarike në uebfaqen zyrtare, platformat e punësimit ose mediat sociale, duke përshkruar saktë detyrat, kualifikimet e kërkuara dhe zotimin e organizatës për mbrojtje (safeguarding).
  2. Komisioni Përzgjedhës: Drejtori Ekzekutiv cakton një komision ad-hoc prej së paku 3 (tre) anëtarësh me përfaqësim të balancuar gjinor dhe pa konflikt interesi me kandidatët për të kryer shqyrtimin administrativ, testimin me shkrim dhe intervistimin.
  3. Verifikimi i Integritetit (Vetting): Kandidati i përzgjedhur për punësim duhet të dorëzojë detyrimisht:
    • Certifikatën zyrtare nga Gjykata kompetente që dëshmon se nuk është i dënuar dhe nuk ka hetime aktive penale;
    • Dy referenca profesionale nga punëdhënësit e mëparshëm, të cilët kontaktohen drejtpërdrejt me pyetje specifike mbi integritetin dhe mbrojtjen;
    • Deklaratën e nënshkruar të mungesës së konfliktit të interesit sipas Nenit 6 të Statutit.
  4. Vendimi Përfundimtar: Sipas Nenit 16.3 (3.3) të Statutit, Drejtori Ekzekutiv zhvillon procedurat e punësimit dhe merr vendimin përfundimtar për përzgjedhjen e të punësuarve në përputhje me legjislacionin në fuqi. Përjashtim bën vetë Drejtori Ekzekutiv, i cili zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi i Anëtarëve sipas Nenit 16.2 të Statutit.

Neni 5: Kontratat e punës dhe periudha provuese

  1. Çdo marrëdhënie pune formalizohet me kontratë me shkrim para fillimit të punës, e nënshkruar nga punëmarrësi dhe Drejtori Ekzekutiv në emër të HO Dora Care.
  2. Kontrata e punës hartohet në përputhje me Ligjin e Punës dhe përmban: emërtimin e pozitës, përshkrimin e detyrave, kohëzgjatjen (afat i caktuar ose i pacaktuar), vendin e punës, orarin, pagën bazë bruto, shtesat, periudhën e pushimeve dhe afatet e njoftimit për ndërprerje.
  3. Periudha Provuese: Për të gjitha pozitat e rregullta të punës zbatohet periudha provuese nga 1 deri në 3 muaj (dhe deri në 6 muaj për pozita menaxheriale). Gjatë kësaj periudhe, secila palë mund të ndërpresë kontratën me njoftim paraprak prej 7 ditësh kalendarike.

Neni 6: Pagat, kompensimet dhe transaksionet financiare

  1. Përcaktimi i Pagave: Pagat përcaktohen sipas shkallës së pagave të miratuar nga Bordi Ekzekutiv, duke u bazuar në kualifikimet, përgjegjësitë, tregun e punës në sektorin e OJQ-ve dhe buxhetet e miratuara të projekteve.
  2. Ndalimi i Shpërndarjes së Fitimit: Në zbatim të Nenit 5 të Statutit, të punësuarve u garantohet kompensimi vetëm për punën e kryer dhe nuk mund të shpërndahet asnjë lloj bonusi apo shpërblimi nga fitimet e mundshme të shoqatës.
  3. Transaksionet Bankare Ekskluzive:
    • Sipas Nenit 7 të Statutit, të gjitha pagat dhe kompensimet financiare transferohen ekskluzivisht përmes institucioneve bankare të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në llogaritë personale bankare të punonjësve;
    • Ndalohet kategorikisht pagesa e pagave apo honorareve në para të gatshme (cash).
  4. Detyrimet Fiskale dhe Pensionale: HO Dora Care ndal në burim dhe deklaron rregullisht në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) Tatimin në të Ardhurat Personale (TAP) dhe kontributet e detyrueshme pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti), sipas përqindjeve të përcaktuara me ligj.

Neni 7: Orari i punës, pushimet dhe mungesat

  1. Orari i Punës: Orari i plotë javor i punës është 40 orë në javë (zakonisht 8 orë në ditë, nga e hëna në të premte, me 30 minuta pushim ditor të përfshirë në orar). Për shkak të specifikave të operacioneve humanitare në terren, orari mund të organizohet me turne ose me orë fleksibile me miratim paraprak të Drejtorit Ekzekutiv.
  2. Pushimi Vjetor: Punonjësi gëzon të drejtën e pushimit vjetor të paguar prej së paku 20 ditësh pune gjatë një viti kalendarik (shtohet nga 1 ditë për çdo 5 vite përvojë pune). Kërkesa për pushim bëhet përmes Formularit të Kërkesës për Pushim (Shtojca 3) të paktën 5 ditë para shfrytëzimit dhe miratohet nga mbikëqyrësi direkt dhe Drejtori Ekzekutiv.
  3. Pushimet Zyrtare: Punonjësit lirohen nga puna me pagesë gjatë ditëve të festave zyrtare të Republikës së Kosovës.
  4. Pushimi Mjekësor: Punonjësit i takon pushimi mjekësor i paguar sipas Ligjit të Punës, i mbështetur me raport mjekësor zyrtar brenda 48 orëve nga fillimi i mungesës.
  5. Pushimi i Lehonisë dhe Prindëror: Rregullohet në përputhje rigoroze me Ligjin e Punës në Kosovë, duke garantuar mbrojtjen e vendit të punës gjatë tërë periudhës së lehonisë.
  6. Pushimet e Jashtëzakonshme me Pagesë: Punonjësi gëzon deri në 5 ditë pushim të paguar në rast martese, lindjeje të fëmijës, apo vdekjeje të anëtarit të ngushtë të familjes.

Neni 8: Vlerësimi i performancës dhe zhvillimi profesional

  1. Në bazë të Nenit 16.3 (3.3) të Statutit, Drejtori Ekzekutiv është përgjegjës për vlerësimin e rregullt të performancës së të punësuarve.
  2. Cikli i Vlerësimit: Vlerësimi formal kryhet një herë në vit (në muajin nëntor/dhjetor) përmes Formularit të Vlerësimit Vjetor të Performancës (Shtojca 2). Vlerësimi analizon: realizimin e objektivave të punës, cilësinë teknike, përputhshmërinë me politikat e integritetit, punën në ekip dhe lidershipin.
  3. Rezultatet e vlerësimit shërbejnë për identifikimin e nevojave për trajnime, vazhdimin e kontratave, rritjen në pozitë, ose marrjen e masave përmirësuese.
  4. Zhvillimi Profesional: Çdo punonjës i nënshtrohet trajnimit të vazhdueshëm mbi: Standardet Sphere, Mbrojtjen dhe PSEA, Anti-Mashtrimin, Sigurinë në Terren dhe Sistemin MEAL.

Neni 9: Disiplina në punë dhe procedura disiplinore

  1. Çdo punonjës është i detyruar të respektojë orarin, rregulloret e brendshme, hierarkinë menaxhuese dhe të tregojë lojalitet e profesionalizëm sipas Nenit 6 të Statutit.
  2. Shkeljet e Detyrave të Punës:
    • Shkelje të Lehta: Vonesa të pajustifikuara në punë, mospërdorimi i pajisjeve të caktuara të zyrës, mungesë e kujdesit ndaj pasurisë, mosrespektim i afateve administrative jo-kritike;
    • Shkelje të Rënda: Përvetësim i fondeve apo ndihmave humanitare; kërkim/pranim ryshfeti; konflikt i padeklaruar interesi; shfrytëzim, abuzim apo ngacmim seksual (PSEA); abuzim me fëmijët; diskriminim i hapur; falsifikim dokumentesh; shkelje e rregullave të sigurisë në terren; refuzim i pajustifikuar i detyrave të punës; dhe thyerje e konfidencialitetit.
  3. Masat Disiplinore:
    • Vërejtje me gojë;
    • Vërejtje me shkrim me regjistrim në dosjen personale;
    • Pezullim i përkohshëm nga puna pa pagesë (nga 1 deri në 3 muaj);
    • Ndërprerje e menjëhershme e marrëdhënies së punës pa njoftim paraprak për shkelje të rënda, sipas legjislacionit të punës.
  4. Komisioni Disiplinor: Për shkeljet e rënda, Drejtori Ekzekutiv themelon Komisionin Disiplinor prej 3 anëtarësh i cili dëgjon punonjësin, shqyrton faktet brenda 10 ditëve dhe propozon vendimin përfundimtar, duke respektuar parimin e së drejtës për mbrojtje dhe prezumimin e pafajësisë.

Neni 10: Korniza e menaxhimit të vullnetarëve

Vullnetarët përbëjnë shtyllën kryesore të mbështetjes së komunitetit në aksionet humanitare të HO Dora Care:

  1. Përkufizimi i Vullnetarizmit: Angazhimi i vullnetshëm, pa pagesë dhe pa detyrim ligjor i një personi me qëllim përkrahjen e aktiviteteve humanitare, arsimore, shëndetësore dhe sociale të shoqatës.
  2. Marrëveshja e Vullnetarizmit: Çdo vullnetar nënshkruan Marrëveshjen e Angazhimit të Vullnetarit (Shtojca 1) para fillimit të punës. Vullnetarizmi nuk konsiderohet marrëdhënie pune dhe nuk krijon të drejtë për pagë.
  3. Mbrojtja nga Shfrytëzimi: Ndalohet rreptësisht përdorimi i vullnetarëve për të zëvendësuar stafin e rregullt të punësuar me qëllim uljen artificiale të kostove të menaxhimit.
  4. Mbulimi i Shpenzimeve Operative: HO Dora Care u siguron vullnetarëve mbulimin e shpenzimeve reale të udhëtimit, ushqimit ditor gjatë veprimeve në terren, pajisjet mbrojtëse të sigurisë, si dhe uniformën dalluese (jelekë humanitarë me logon e shoqatës).
  5. Detyrimet Etike të Vullnetarëve: Vullnetarët i nënshtrohen të njëjtave rregulla etike si stafi i rregullt: nënshkrimi i Kodit të Mirësjelljes, trajnimi për Mbrojtjen e Fëmijëve/PSEA, trajtimi me dinjitet i përfituesve dhe ruajtja e rreptë e konfidencialitetit.
  6. Mirënjohja dhe Certifikimi: Pas përfundimit të angazhimit, shoqata i lëshon vullnetarit Certifikatën Zyrtare të Vullnetarizmit ku përshkruhen orët e kryera, aftësitë e fituara dhe kontributi shoqëror i dhënë.

Neni 11: Siguria dhe shëndeti në punë

  1. HO Dora Care zbaton standardet më të larta ligjore të sigurisë në punë për të parandaluar lëndimet fizike dhe sëmundjet profesionale.
  2. Zyrat, depot dhe automjetet mbahen në gjendje të rregullt teknike, higjienike dhe me dalje të lira emergjente.
  3. Punonjësve në terren u sigurohen pajisje mbrojtëse personale (këpucë të sigurisë, jelekë reflektues, doreza, kaska për kantiere).
  4. Punonjësit që përballen me situata të rënda emocionale dhe trauma gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare te grupet tejet të varfra apo fëmijët e sëmurë kanë të drejtë të kërkojnë këshillim dhe pushim psikosocial të mbështetur nga organizata.

Neni 12: Struktura e qeverisjes dhe përgjegjësitë institucionale

  1. Kuvendi i Anëtarëve: Ruan mbikëqyrjen më të lartë ligjore dhe statutore për politikat e shoqatës, miraton raportet vjetore të personelit, dhe zgjedh e shkarkon Drejtorin Ekzekutiv sipas Nenit 16.2 të Statutit.
  2. Bordi Ekzekutiv:
    • Miraton këtë Politikë të Burimeve Njerëzore dhe shkallët përkatëse të pagave;
    • Mbikëqyr performancën e Drejtorit Ekzekutiv sipas Nenit 17.2 të Statutit;
    • Shqyrton ankesat e shkallës së dytë për procedurat disiplinore.
  3. Përfaqësuesi i Autorizuar (Faruk Begolli):
    • Përfaqëson shoqatën pranë Inspektoratit të Punës, gjykatave dhe institucioneve të administrimit tatimor e pensional;
    • Garanton ligjshmërinë statutore të të gjitha marrëdhënieve kontraktuale.
  4. Drejtori Ekzekutiv:
    • Sipas Nenit 16.3 të Statutit, administron personelin, zhvillon procedurat e punësimit, vlerëson performancën, dhe ndërpret marrëdhënien e punës sipas legjislacionit në fuqi;
    • Nënshkruan kontratat e punës dhe marrëveshjet e vullnetarizmit.
  5. Zyrtari i Burimeve Njerëzore dhe Administratës:
    • Menaxhon dosjet personale fizike dhe digjitale të stafit;
    • Ndjek orarin, pushimet dhe përgatit borderotë mujore të pagave;
    • Koordinon rekrutimin dhe administron regjistrin e vullnetarëve.

Neni 13: Dosjet personale dhe mbrojtja e të dhënave

  1. Për çdo punonjës dhe vullnetar mbahet një dosje personale e plotë konfidenciale (CV, kontrata, certifikata e gjykatës, dëshmitë e kualifikimeve, vlerësimet e performancës dhe regjistri i pushimeve).
  2. Dosjet ruhen në arkivin e mbrojtur në selinë e shoqatës në Prishtinë dhe në server të enkriptuar, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
  3. Punonjësi ka të drejtë të shikojë dosjen e tij/saj personale në çdo kohë me kërkesë paraprake me shkrim.

Neni 14: Hyrja në fuqi dhe rishikimi

  1. Kjo Politikë hyn në fuqi menjëherë në ditën e miratimit nga Bordi Ekzekutiv dhe ratifikimit nga Kuvendi i Anëtarëve të HO Dora Care.
  2. Politika i nënshtrohet rishikimit periodik çdo dy vite, ose sa herë që ndryshon ligji i punës në Kosovë apo kërkesat e donatorëve ndërkombëtarë.

Raportoni një shkelje në mënyrë konfidenciale

Nëse keni dijeni për një shkelje të kësaj politike, na shkruani përmes kanalit të sigurt të ankesave. Mbrojtja nga hakmarrja është e garantuar.

Paraqit ankesë
Shpërndaje